TANER: ANËTARËSIMI I MALIT TË ZI NË BE ËSHTË INVESTIM NË SIGURI, STABILITET DHE PAQE

Foto: RTNK

Ministrja e Mbrojtjes e Austrisë, Klaudia Taner, gjatë vizitës së saj në Mal të Zi deklaroi se anëtarësimi i vendit në Bashkimin Evropian përbën një investim në siguri, stabilitet dhe paqe, duke theksuar se Austria do të vazhdojë ta mbështesë Malin e Zi në rrugën evropiane përmes programeve të trajnimit, si dhe projekteve dypalëshe dhe rajonale në fushën e mbrojtjes.

Në konferencën e përbashkët me ministrin malazez të Mbrojtjes, Dragan Krapoviq, Taner vlerësoi bashkëpunimin mes dy vendeve në trajnimin e kuadrove ushtarake dhe partneritetin në fushën e luftimit malor.

Ajo bëri të ditur se Austria pret të mirëpresë kadetë dhe oficerë të rinj nga Mali i Zi në akademinë e saj ushtarake, si dëshmi e forcimit të mëtejshëm të partneritetit mes dy vendeve.

Nga ana e tij, ministri Krapoviq theksoi se mbështetja e vazhdueshme e Austrisë për integrimin evropian të Malit të Zi dhe të Ballkanit Perëndimor ka rëndësi të veçantë.

Ai nënvizoi se integrimi në BE është një zgjedhje strategjike dhe se sfidat aktuale mund të përballohen vetëm përmes partneritetit dhe bashkëpunimit të ngushtë.

Krapoviq bëri të ditur gjithashtu se është nënshkruar një letër synimi për avancimin profesional të oficerëve malazezë në Austri, ndërsa falënderoi Austrinë për iniciativën për krijimin e Kolegjit të Studimeve të Mbrojtjes dhe Sigurisë për Ballkanin Perëndimor.

Duke komentuar negociatat me Kroacinë për çështjen e anijes shkollore “Jadran”, Krapoviq tha se bisedimet do të zhvillohen në frymë partneriteti dhe mirëbesimi, duke shprehur bindjen se rezultati do të jetë i favorshëm për Malin e Zi dhe se vendi do të arrijë anëtarësimin në BE deri në vitin 2028.

SHARE