Foto: Shutterstock
Në zonat bregdetare dhe turistike të Malit të Zi janë intensifikuar kontrollet inspektuese, ndërsa rezultatet e para tregojnë se shkelja më e zakonshme vazhdon të jetë moslëshimi i kuponëve fiskalë.
Që nga 2 korriku, rreth 100 inspektorë janë angazhuar çdo ditë në gjashtë komunat bregdetare, si dhe në Kollashin dhe Zhablak, për të kontrolluar veprimtarinë e bizneseve.
Sipas Ekipit Koordinues për Mbikëqyrje Inspektuese, nuk do të ketë tolerancë ndaj subjekteve që nuk lëshojnë kuponë fiskalë, ndërsa është vlerësuar se këtë sezon janë dukshëm më të pakta shkeljet që lidhen me lirimin e plazheve nga mobiliet e plazhit.
Nga ana tjetër, Unioni i Punëdhënësve mbështet kontrollet, por kërkon që ato të mos zhvillohen çdo ditë, pasi, sipas tyre, bizneset që punojnë në përputhje me ligjin përballen me kontrolle të shpeshta, ndërsa disa subjekte të paligjshme vazhdojnë të ushtrojnë aktivitet pa leje.
Kontrollet e shtuara do të zgjasin deri më 10 shtator, me synim luftimin e ekonomisë informale, mbrojtjen e konkurrencës së ndershme dhe rritjen e të ardhurave në buxhetin e shtetit.










