KOS: MALI I ZI NË FAZËN PËRFUNDIMTARE TË PËRGATITJEVE PËR ANËTARËSIM NË BE

Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore

Komisionerja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, deklaroi se dita e sotme është e rëndësishme jo vetëm për Malin e Zi, por edhe për politikën e zgjerimit të Bashkimit Evropian.

Ajo vlerësoi mbylljen e më shumë se gjysmës së kapitujve negociues, duke e cilësuar këtë si një hap të madh përpara në procesin e integrimit evropian.

Kos uroi qytetarët e Malit të Zi me rastin e Ditës së Shtetësisë dhe theksoi se përparimi në negociata do të sjellë përfitime konkrete si për qytetarët, ashtu edhe për ekonominë.

Sipas saj, kompanitë do të operojnë sipas rregullave të Bashkimit Evropian, ndërsa do të ketë më pak kontrolle kufitare dhe pengesa administrative.

Ajo theksoi se Mali i Zi ndodhet në fazën përfundimtare të përgatitjeve për anëtarësim në BE dhe se ky vit është vendimtar.

Sipas saj, Bashkimi Evropian është i gatshëm për Malin e Zi, ndërsa mbetet që vendi të përfundojë reformat me mbështetje të gjerë shoqërore.

Kos u shpreh e bindur se procesi i anëtarësimit mund të përfundojë me sukses historik, duke shtuar se Bashkimi Evropian beson te Mali i Zi dhe qytetarët e tij dhe se vendi është gjithnjë e më pranë realizimit të objektivit strategjik për t’u bërë anëtar i BE-së.

SHARE