SHARANOVIQ: MALI I ZI HYN NË SEZONËN E ZJARREVE ME KAPACITETE KATËR HERË MË TË MËDHA

Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore

Ministri i Punëve të Brendshme, Danillo Sharanoviq, njoftoi se tre avionët Air Tractor për shuarjen e zjarreve janë plotësisht funksionalë dhe të gatshëm për sezonën e zjarreve, ndërsa Qeveria ka siguruar edhe angazhimin e një avioni shtesë.

Sipas tij, kapaciteti i përgjithshëm për shuarjen e zjarreve nga ajri është rritur në 17 tonë ujë në një fluturim, ose katër herë më shumë krahasuar me vitin e kaluar, pa përfshirë mbështetjen e aviacionit të Ushtrisë së Malit të Zi.

Sharanoviq theksoi se Mali i Zi nuk ka qenë asnjëherë më i përgatitur për sezonën e zjarreve, falë rikthimit në funksion të të tre avionëve Air Tractor dhe angazhimit të një mjeti ajror shtesë.

Ai falënderoi mekanikët dhe pilotët e Njësisë Ajrore-Helikopterike për punën e tyre disamujore në rikthimin në funksion të avionëve, duke vlerësuar profesionalizmin dhe përkushtimin e tyre.

Megjithatë, ministri paralajmëroi se edhe këto kapacitete mund të mos jenë të mjaftueshme në rast të zjarreve të mëdha dhe të njëkohshme.

Ai u bëri thirrje qytetarëve të shmangin ndezjen e zjarreve në ambiente të hapura dhe të tregojnë përgjegjësi për të mbrojtur jetën e njerëzve, pronën dhe mjedisin.

SHARE