Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Mali i Zi dhe Turqia do të themelojnë një Këshill për Bashkëpunim të Nivelit të Lartë, i cili do të shërbejë si platformë për forcimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve.
Kjo u dakordua në takimin mes kryeministrit të Malit të Zi, Millojko Spajiq, dhe presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, në Ankara.
Gjatë takimit, i cili u zhvillua në margjinat e Samitit të NATO-s, u bisedua për avancimin e bashkëpunimit në fushat e infrastrukturës, mbrojtjes, shëndetësisë dhe sportit. Gjithashtu, u paralajmërua edhe vizita zyrtare e presidentit Erdoğan në Mal të Zi.
Spajiq, në një postim në rrjetin social X, njoftoi se Mali i Zi dhe Republika e Turqisë do të krijojnë Këshillin për Bashkëpunim të Nivelit të Lartë si një mekanizëm për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe.
“Duke falënderuar për mikpritjen në Ankara dhe organizimin e shkëlqyer të Samitit të NATO-s, do të jetë nder për ne që gjatë muajve të ardhshëm t’ia kthejmë mikpritjen presidentit Erdoğan në Mal të Zi”, theksoi Spajiq.
Kryeministri malazez tha se gjatë bisedimeve në Ankara theks i veçantë iu kushtua mundësive për zgjerimin e bashkëpunimit në fushat me interes të përbashkët.
Sipas tij, fokusi i bashkëpunimit të ardhshëm do të jetë veçanërisht në infrastrukturë, mbrojtje, shëndetësi dhe sport.
“NATO-ja më e fortë dhe suksesi i Samitit në Ankara i kanë dhënë një shtysë të rëndësishme ndërtimit të një Evrope më të fortë brenda një NATO-je më të fuqishme”, deklaroi Spajiq.










