IBRAHIMOVIQ DHE RASMUSSEN: MALI I ZI PO SHFRYTËZON ME SUKSES MOMENTIN E ZGJERIMIT TË BE-së

Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore

Ministri i Punëve të Jashtme i Malit të Zi, Ervin Ibrahimoviq, u takua me ministrin e Jashtëm të Danimarkës, Lars Løkke Rasmussen, i cili po qëndron për vizitë në Mal të Zi. Të dy zyrtarët theksuan marrëdhëniet e mira dypalëshe dhe mbështetjen e fuqishme të Danimarkës për integrimin evropian të Malit të Zi.

Ibrahimoviq vlerësoi se Mali i Zi po shfrytëzon momentin aktual të zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe synon të përfundojë negociatat e anëtarësimit deri në fund të vitit, me objektivin për t’u bërë anëtar i plotë i BE-së në vitin 2028.

Ai nënvizoi gjithashtu rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit ekonomik, turizmit, energjisë së gjelbër, digjitalizimit dhe mbrojtjes.

Nga ana tjetër, Rasmussen përgëzoi Malin e Zi për përparimin e arritur në procesin e integrimit evropian, duke theksuar se vendi ka shfrytëzuar me sukses valën e re të zgjerimit të BE-së.

Ai ritheksoi se Danimarka mbetet një mbështetëse e fuqishme e anëtarësimit të Malit të Zi dhe vlerësoi se sukseset e vendit duhet të shpërblehen me avancimin e mëtejshëm në procesin e negociatave.

Ministri danez shtoi se zgjerimi i BE-së është në interes të gjithë Evropës, veçanërisht në kushtet aktuale gjeopolitike, duke theksuar se një Ballkan Perëndimor i qëndrueshëm dhe i integruar është i rëndësishëm për sigurinë dhe prosperitetin e kontinentit.

SHARE