Foto: Boris Pejović
Komisionerja evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, e cilësoi si një lajm inkurajues miratimin në Kuvendin e Malit të Zi të propozimit për ndryshimet kushtetuese, të nevojshme për harmonizimin me legjislacionin e Bashkimit Evropian.
Ajo theksoi se fakti që 74 nga 77 deputetë votuan pro ndryshimeve tregon se anëtarësimi në Bashkimin Evropian është një projekt i përbashkët kombëtar, që gëzon mbështetje të gjerë politike.
Sipas Kos, ky konsensus krijon një bazë të fortë për reformat e ardhshme dhe forcon besueshmërinë e Malit të Zi në fazën përfundimtare të procesit të anëtarësimit.
Ajo njoftoi gjithashtu se gjatë kësaj jave do të vizitojë Malin e Zi për të inkurajuar vazhdimin e reformave dhe përmbylljen me sukses të negociatave me Bashkimin Evropian.










