RUTTE: ALEATËT E NATO-s NË RRUGËN E DUHUR PËR T’U BARAZUAR ME SHBA-në NË SHPENZIMET PËR MBROJTJE

Në prag të samitit të NATO-s në Ankara, sekretari i përgjithshëm i aleancës, Mark Rutte, deklaroi të hënën se anëtarët evropianë dhe Kanadaja janë në rrugën e duhur për t’i rritur shpenzimet e tyre për mbrojtjen në nivel të krahasueshëm me ato të Shteteve të Bashkuara.

Uashingtoni prej kohësh e ka kritikuar Evropën për shpenzimet e pamjaftueshme ushtarake, duke i cilësuar ato si “përfitim falas” nga mbrojtja kolektive.

Duke folur në kryeqytetin turk, pak para nisjes së samitit dyditor të NATO-s më 7 dhe 8 korrik, Rutte theksoi se aleanca duhet të vazhdojë të sigurojë që Ukraina të marrë mbështetjen e nevojshme, pas një tjetër sulmi shkatërrues rus në Kiev dhe zonat përreth, ku të hënën humbën jetën të paktën 21 persona.

Samiti i Ankarasë synon të vlerësojë përparimin e 32 vendeve anëtare në përmbushjen e objektivit, të miratuar vitin e kaluar në Hagë, për të rritur shpenzimet e mbrojtjes në 5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) deri në vitin 2035.

Duke qenë se disa shtete vetëm këtë vit arritën objektivin e mëparshëm prej 2 për qind të PBB-së, Shtetet e Bashkuara kanë shtuar presionin ndaj aleatëve evropianë që të paraqesin plane të besueshme për arritjen e objektivit të ri brenda dekadës së ardhshme.

SHARE