Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Skupština Crne Gore
Kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiq, përshëndeti marrëveshjen e arritur mes shumicës parlamentare dhe opozitës për ndryshimet kushtetuese, duke e cilësuar atë si një hap të rëndësishëm demokratik dhe një dëshmi të pjekurisë politike.
Sipas tij, Bashkimi Evropian pret rezultate konkrete nga Mali i Zi dhe ky është minimumi i nevojshëm për të avancuar drejt anëtarësimit.
Duke folur në seancën e pyetjeve të kryeministrit në Kuvend, Spajiq tha se përfshirja e Malit të Zi në projeksionet buxhetore të BE-së dhe parashikimi i 3,2 miliardë eurove në kuadrin financiar evropian janë sinjale të qarta se Brukseli e sheh vendin si anëtarin e ardhshëm të Bashkimit Evropian.
Ai theksoi se Mali i Zi është në rrugë të sigurt drejt anëtarësimit në BE dhe se, që nga formimi i Qeverisë aktuale në vitin 2023, janë mbyllur përkohësisht 13 nga 33 kapitujt negociues.
Gjatë seancës, Spajiq iu përgjigj edhe pyetjeve të deputetëve për gjendjen në shëndetësi, projektet infrastrukturore, zhvillimin e veriut, investimet, çështjen e Shën Stefanit dhe procesin e integrimit evropian.
Ai tha se Qeveria do të vazhdojë me reformat dhe projektet zhvillimore, me synim që Mali i Zi të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian deri në vitin 2028.












