SHAREC: BE-ja KA TREGUAR VULLNET, TANI DEPUTETËT DUHET TË TREGOJNË URTËSI

Foto: PE

Raportuesi i përhershëm i Parlamentit Evropian për Malin e Zi, Marjan Sharec, deklaroi se votimi i sotëm për nisjen e procesit të ndryshimeve kushtetuese është një moment kyç për vazhdimin e rrugës evropiane të vendit.

Ai theksoi se Bashkimi Evropian ka dëshmuar seriozitet në politikën e zgjerimit, ndërsa tani është radha e politikanëve malazezë të tregojnë përgjegjësi dhe urtësi.

Sipas Sharecit, ndryshimet kushtetuese janë të domosdoshme për avancimin e negociatave me BE-në dhe shprehu besimin se, pavarësisht tensioneve politike, do të arrihet një kompromis që do të shmangë bllokimin e procesit të integrimit.

Ai rikujtoi se përfshirja e Malit të Zi në planin e ardhshëm buxhetor të Bashkimit Evropian, me mjete të konsiderueshme financiare të parashikuara, është një sinjal i qartë se Brukseli e sheh seriozisht anëtarësimin e vendit.

Për këtë arsye, sipas tij, do të ishte e papranueshme që procesi i anëtarësimit të ngadalësohej për shkak të mosmarrëveshjeve politike.

Sharec paralajmëroi gjithashtu se me afrimin e zgjedhjeve priten më shumë tensione politike, të cilat mund të ndikojnë në ritmin e reformave, por shprehu shpresën se forcat politike do të arrijnë marrëveshje për çështjet kyçe në interes të së ardhmes evropiane të Malit të Zi.

SHARE