Foto: Shutterstock
Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit ka njoftuar se ka nisur shpërndarja e pajisjeve të reja kompjuterike në shkollat e Malit të Zi.
Vlera e këtij investimi është rreth 2,4 milionë euro, nga të cilat 1,98 milionë euro janë mjete të pakthyeshme të siguruara përmes një granti të Bankës Evropiane të Investimeve, ndërsa pjesa tjetër financohet nga buxheti i shtetit.
Pajisjet përfshijnë kompjuterë, televizorë dhe printerë, të destinuar për kabinetet që nuk ishin përfshirë në furnizimin e mëparshëm, si dhe për dhomat e mësimdhënësve në shkollat fillore, të mesme, kopshtet, shkollat e muzikës dhe qendrat burimore.
Ministrja Angjella Jakshiq-Stojanoviq theksoi se ky grant i ri është dëshmi e mbështetjes së partnerëve ndërkombëtarë për modernizimin e sistemit arsimor në Mal të Zi.
Ajo rikujtoi se bëhet fjalë për vazhdimin e procesit të nisur në fund të vitit 2023, kur institucionet arsimore në vend u pajisën me teknologji moderne me vlerë rreth 7 milionë euro.
Nga ministria theksojnë se do të vazhdojnë investimet për përmirësimin e kushteve në institucionet arsimore, me synim që çdo nxënës të ketë qasje në pajisje moderne, në përputhje me standardet dhe nevojat e shekullit XXI.











