Foto: Ilustrim
Policia e Malit të Zi do të nisë nga nesër, 7 korrik, fushatën “Drejtim i sigurt – pushime të sigurta”, e cila do të zgjasë deri në përfundim të sezonit veror turistik.
Në pikat kufitare, turistëve që hyjnë në Mal të Zi do t’u shpërndahen 440 mijë fletëpalosje informuese në gjuhën malazeze, angleze dhe shqipe. Përveç mesazhit të mirëseardhjes, ato përmbajnë këshilla për sigurinë në komunikacion, thirrje për respektimin e rregullave të trafikut, si dhe numrat e rëndësishëm të shërbimeve kompetente.
Nga Policia theksojnë se fushata organizohet për shkak të rritjes së ndjeshme të numrit të automjeteve gjatë sezonit turistik, ndërsa rikujtojnë se shkaqet më të shpeshta të aksidenteve janë tejkalimi i shpejtësisë, drejtimi i automjetit nën ndikimin e alkoolit ose drogës, parakalimet e rrezikshme, përdorimi i telefonit gjatë vozitjes dhe lodhja e shoferëve. Shoferëve u rekomandohet të udhëtojnë me automjete teknikisht të rregullta, të pushojnë mjaftueshëm dhe të respektojnë rregullat e komunikacionit.











