MILLATOVIQ: MALI I ZI EVROPIAN DO TË THOTË SUNDIM I LIGJIT DHE INSTITUCIONE TË FORTA

Foto: predsjednik.me

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, në një artikull autorial të publikuar në portalin European Western Balkans, vlerësoi se vendi nuk ka qenë kurrë më afër anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke e cilësuar këtë si një mundësi historike dhe një provë të seriozitetit të shtetit.

Ai theksoi se mesazhet e fundit nga samiti BE–Ballkani Perëndimor në Tivat, fjalimi i tij në Parlamentin Evropian në Strasburg dhe mbështetja e shprehur nga Franca dhe Gjermania dëshmojnë se Mali i Zi ka hyrë në fazën përfundimtare të procesit të integrimit evropian.

Millatoviq tha se vendi synon të bëhet anëtari i 28-të i Bashkimit Evropian deri në vitin 2028, duke nënvizuar se Mali i Zi nuk kërkon lehtësime në procesin e anëtarësimit, por njohjen e rezultateve të arritura.

Sipas tij, përparimi drejt BE-së është rezultat i diplomacisë së përgjegjshme, rikthimit të integrimeve evropiane në qendër të politikës shtetërore dhe përkushtimit për të përmbushur standardet evropiane.

Ai theksoi se mbështetja e partnerëve evropianë duhet të shoqërohet me reforma të thella në vend.

Sipas presidentit Millatoviq, prioritet mbetet forcimi i institucioneve, garantimi i një gjyqësori të pavarur dhe efikas, profesionalizimi i administratës publike, si dhe lufta më e vendosur kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Ai nënvizoi se një Mal i Zi evropian nënkupton sundim të ligjit, institucione të besueshme, menaxhim të përgjegjshëm të financave publike, mundësi të barabarta për qytetarët dhe drejtësi që zbatohet njësoj për të gjithë.

Presidenti shtoi se anëtarësimi në BE duhet të sjellë përfitime konkrete për qytetarët, si vende pune më të sigurta, paga më të larta, shërbime më cilësore në shëndetësi dhe arsim, më shumë investime dhe zhvillim ekonomik.

Ai theksoi se pranimi i Malit të Zi në BE do të ishte gjithashtu një sinjal i rëndësishëm për të gjithë Ballkanin Perëndimor, duke dëshmuar se reformat shpërblehen dhe se zgjerimi i Bashkimit Evropian mbetet një proces i besueshëm.

Sipas Millatoviqit, askush nuk ka të drejtë ta humbasë këtë mundësi historike për shkak të ndarjeve politike apo interesave të ngushta partiake.

SHARE