Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Ministri i Punëve të Jashtme, Ervin Ibrahimoviq, deklaroi se pranimi i Malit të Zi në OKB para 20 vitesh vulosi njohjen ndërkombëtare të shtetit si i pavarur, sovran dhe anëtar i barabartë i bashkësisë ndërkombëtare.
Duke folur në ceremoninë e shënimit të 20-vjetorit të anëtarësimit në OKB, Ibrahimoviq tha se 28 qershori i vitit 2006 përbën një nga datat më të rëndësishme në historinë moderne të Malit të Zi dhe simbolizon rikthimin e vendit në skenën globale.
Në këtë ngjarje u theksua se anëtarësimi në OKB erdhi menjëherë pas rivendosjes së pavarësisë së shtetit.
Ambasadori i Austrisë në Mal të Zi, Christian Steiner, kujtoi se Austria e njohu zyrtarisht pavarësinë e Malit të Zi më 12 qershor 2006 dhe se marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve u vendosën një muaj më vonë.
Koordinatorja rezidente e OKB-së në Mal të Zi, Caroline Tissot, vlerësoi progresin e arritur gjatë dy dekadave të fundit, duke përmendur avancimin e vendit në indeksin e zhvillimit njerëzor, mbështetjen për reformat në arsim dhe në fushën sociale, si dhe kontributin e agjencive të OKB-së në proceset reformuese dhe integruese të Malit të Zi.










