I NXEHTI GODET FUQISHËM EUROPËN / PARISI KUFIZON ORARET NË KULLËN EIFFEL, ALARM I KUQ NË DISA QYTETE ITALIANE

Europa po përballet me një valë të fortë të të nxehtit, që ka prekur veçanërisht Francën, Italinë dhe disa vende të tjera të kontinentit, duke sjellë pasoja të rënda në jetën e përditshme, shëndetin publik dhe turizëm.

Në Paris, Kulla Eiffel do të mbyllet përkohësisht më herët se zakonisht, duke reduktuar orarin e vizitave deri në orën 16:00, në vend të 00:45. Sipas autoriteteve, temperaturat që arrijnë deri në 40°C kanë bërë që struktura e çelikut të zgjerohet deri në 15 centimetra. Po ashtu, edhe muzeu Louvre do të mbyllet më herët për shkak të mbinxehjes së ndërtesës dhe numrit të madh të vizitorëve.

Autoritetet franceze raportojnë situatë të rënduar edhe jashtë Parisit, ku janë shënuar temperatura ekstreme dhe një rritje e ndjeshme e incidenteve të lidhura me të nxehtin, përfshirë edhe mbytje në lumenj dhe kanale.

Valë e nxehtë ka prekur gjithashtu pjesë të mëdha të Europës, nga Franca deri në Poloni, me temperatura që qëndrojnë 12–14 gradë mbi mesataren sezonale. Meteorologët paralajmërojnë se situata mund të zgjasë edhe disa ditë, ndërsa rënie e temperaturave pritet në fillim të korrikut.

Në Itali, disa qytete janë vendosur në alarm të kuq për shkak të temperaturave të larta, ndërsa në disa zona të tjera janë shtuar rastet e ndërhyrjeve emergjente shëndetësore, veçanërisht tek të moshuarit dhe personat që punojnë në ambiente të hapura.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka paralajmëruar se të nxehtit ekstrem nuk është më vetëm një fenomen meteorologjik, por një emergjencë shëndetësore që po shkakton qindra mijëra viktima në Europë në vitet e fundit.

Autoritetet në disa vende europiane kanë marrë masa emergjente, përfshirë kufizime të aktiviteteve publike, mbyllje të shkollave dhe paralajmërime për udhëtime, ndërsa ekspertët theksojnë se qytetet e mëdha po shndërrohen gjithnjë e më shumë në “ishuj të nxehtësisë urbane”.

SHARE