Foto: Ilustrim
Regjistrimi i nxënësve në vitin e parë të shkollave të mesme në Mal të Zi ka nisur sot dhe do të zgjasë deri të premten në orën 15:00.
Aplikimet bëhen elektronikisht përmes platformës online të Ministrisë së Arsimit.
Këtë vit shkollën fillore e kanë përfunduar rreth 7.400 nxënës, ndërsa konkursi parashikon gjithsej 10.257 vende në shkollat e mesme.
Prej tyre, 2.534 vende janë në gjimnaze, 4.903 në programet katërvjeçare profesionale, 2.632 në programet trevjeçare profesionale dhe 188 në programet e artit muzikor dhe figurativ.
Pragu minimal i pikëve për regjistrim mbetet i pandryshuar: 60 pikë për gjimnazet dhe 48 pikë për shkollat profesionale katërvjeçare.
Listat e përditësuara të kandidatëve do të publikohen çdo ditë, ndërsa lista përfundimtare e pranimit do të shpallet më së voni më 30 qershor.
Nxënësit që regjistrohen në programet profesionale trevjeçare kanë mundësi të ndjekin arsimin dual, duke kombinuar mësimin me praktikën te punëdhënësit dhe duke përfituar kompensim financiar gjatë shkollimit.










