SHAHMANOVIQ: PËR TRANZICIONIN E GJELBËR NEVOJITET VENDOSMËRI POLITIKE

Foto: Boris Pejović

Ministri i Energjisë dhe Minierave, Admir Shahmanoviq, deklaroi se tranzicioni i gjelbër energjetik është një proces i ndërlikuar, i kushtueshëm dhe afatgjatë, që kërkon vendosmëri politike, institucione të forta dhe një kornizë të qëndrueshme ligjore.

Në konferencën “Mali i Zi në rrugën e tranzicionit të gjelbër energjetik”, ai tha se gjatë 15 muajve të fundit është realizuar një nga ciklet më të rëndësishme reformuese në sektorin energjetik.

Sipas tij, janë miratuar ligje të reja në përputhje me standardet evropiane, Plani Kombëtar i Energjisë dhe Klimës deri në vitin 2030, si dhe është vendosur sistemi i ankandeve për burimet e ripërtëritshme të energjisë.

Shahmanoviq theksoi se pas shumë vitesh është vënë në funksion parku me erë Gvozd me kapacitet 54,6 megavatë, ndërsa po punohet edhe për fazën e dytë të këtij projekti, agregatin e tetë të hidrocentralit Peruqica dhe sistemet e baterive për ruajtjen e energjisë.

Ai vlerësoi si shumë të rëndësishëm bashkëpunimin me Italinë, duke theksuar se marrëveshjet për lidhjen e tregjeve të energjisë elektrike dhe ndërtimin e një lidhjeje të dytë nënujore energjetike do ta forcojnë pozitën e Malit të Zi si urë energjetike mes Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian.

Ministri njoftoi gjithashtu se Mali i Zi po zgjeron partneritetet strategjike me Francën, Shtetet e Bashkuara dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, me synimin për tërheqjen e investimeve dhe zhvillimin e sektorit energjetik.

SHARE