Në Oqeanin Paqësor po zhvillohet një El Niño potencialisht ekstrem, një fenomen klimatik që mund të ndikojë në kushtet e motit në mbarë botën në javët në vijim. Meteorologët paralajmërojnë se mund të jetë El Niño më i fortë i regjistruar ndonjëherë.
Fenomeni ka “potencial të vërtetë për t’u zhvilluar në aktivitetin më të fortë El Niño të 140 viteve të fundit”, thotë Paul Roundy, profesor për studimet atmosferike dhe mjedisore në Universitetin Shtetëror të Nju Jorkut. Organizata Botërore Meteorologjike supozon se kushtet e motit nën ndikimin e El Niño do të fillojnë së shpejti të ndihen dhe do të zgjasin të paktën deri në dimër.
Në varësi të fuqisë dhe kohëzgjatjes së fenomenit, kjo mund të çojë në thatësira, përmbytje, valë të nxehti dhe ndërprerje të furnizimit me ushqim dhe ujë në shumë rajone.
“Bota duhet ta shohë këtë si një paralajmërim urgjent klimatik”, paralajmëroi Antonio Guterres. “Ky El Niño do të veprojë si një përshpejtues zjarri në një botë që po ngrohet.”
El Niño është një model klimatik natyror që përsëritet çdo dy deri në shtatë vjet. Ai fillon me dobësimin e erërave mbi Paqësorin tropikal. Si pasojë, ujëra të ngrohta grumbullohen në oqean. Kjo ngrohje ndodh vetëm në një rajon me sipërfaqe afërsisht sa Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por efektet e saj ndihen në të gjithë globin.
Efektet e shkaktuara nga El Niño ndryshojnë shumë nga rajoni në rajon. Në disa vende fenomeni shkakton thatësirë, ndërsa në të tjera përmbytje. Disa rajone në Amerikën Qendrore, Azi, Afrikë dhe Australi bëhen më të nxehta dhe më të thata gjatë viteve me El Niño. Në rajone të tjera ndodh e kundërta.
Në pjesë të bregdetit të Paqësorit në Amerikën e Jugut, El Niño mund të shkaktojë reshje të rrëmbyeshme dhe përmbytje shkatërruese. Zjarret në pyje janë gjithashtu një kërcënim në rritje.
Shkencëtarët paralajmërojnë për rritje të rrezikut nga nxehtësia ekstreme dhe thatësira, që favorizojnë zjarret në Australi, Kanada, SHBA dhe në pyjet tropikale të Amazonës.
El Niño luan gjithashtu rol në formimin e stuhive tropikale. Shkencëtarët presin që sezoni i uraganeve në Atlantik sivjet të jetë më i dobët se zakonisht. Megjithatë, më pak stuhi nuk do të thotë më pak rrezik. Nëse një stuhi shndërrohet në uragan, ajo është e vështirë të ndalet dhe mund të shkaktojë dëme katastrofike.
Në Paqësor ndërkohë ndodh e kundërta: El Niño zakonisht shkakton më shumë stuhi dhe më të forta.









