Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Ministri i Mbrojtjes i Malit të Zi, Dragan Krapoviq, deklaroi pas takimit të Këshillit të Atlantikut të Veriut në Bruksel se sfidat e sotme të sigurisë kërkojnë unitet të fortë dhe zbatim të vazhdueshëm të agjendës së përbashkët brenda NATO.
Në takimin e kryesuar nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, u vlerësua zbatimi i vendimeve të samitit të mëparshëm, me theks në forcimin e mbrojtjes kolektive dhe unitetit transatlantik.
U theksua se vendet evropiane dhe Kanadaja po marrin një rol më të madh në mbrojtjen e kontinentit përmes rritjes së shpenzimeve ushtarake, forcimit të kapaciteteve industriale dhe vazhdimit të mbështetjes për Ukrainën.
Krapoviq tha se Mali i Zi ka bërë përparim të konsiderueshëm në përmbushjen e objektivave të NATO-s, veçanërisht në rritjen graduale të shpenzimeve për mbrojtjen dhe zhvillimin e kapaciteteve mbrojtëse. Ai theksoi se vendi vitin e kaluar ka ndarë më shumë se 2 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto për nevojat e mbrojtjes.
Sipas tij, takimi shërbeu edhe për miratimin e dokumenteve që do të forcojnë më tej kapacitetet parandaluese dhe mbrojtëse të Aleancës përpara samitit të ardhshëm të NATO-s në Ankara.
Ministri ritheksoi se Mali i Zi do të vazhdojë të kontribuojë në aktivitetet e NATO-s në krahun lindor të Aleancës, si dhe në misionet dhe operacionet ndërkombëtare, duke mbështetur Ukrainën në mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit të saj territorial.









