SHAREC: MALI I ZI NUK KA QENË KURRË MË AFËR ANËTARËSIMIT NË BASHKIMIN EVROPIAN

Foto: PE

Parlamenti Evropian miratoi me shumicë të madhe rezolutën për Malin e Zi, të hartuar nga eurodeputeti Marjan Sharec, duke vlerësuar përparimin e qëndrueshëm të vendit në procesin e integrimit evropian.

Rezoluta për Malin e Zi u miratua me mbështetje të gjerë në Parlamentin Evropian, ku 486 nga 622 eurodeputetët e pranishëm votuan pro, 101 votuan kundër, ndërsa 75 abstenuan.

Sipas raportit, Mali i Zi synon të përfundojë negociatat e anëtarësimit deri në fund të vitit 2026 dhe të bëhet shteti i 28-të anëtar i BE-së në vitin 2028.

Sharec theksoi se Mali i Zi ka hapur të gjithë 33 kapitujt negociues dhe ka mbyllur përkohësisht 16 prej tyre, duke e bërë atë vendin kandidat më të avancuar në procesin e zgjerimit të BE-së.

Ai vlerësoi orientimin e palëkundur evropian të vendit, por theksoi se sfidat kryesore mbeten sundimi i ligjit, pavarësia e gjyqësorit, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Rezoluta përfshin gjithashtu shqetësime për raportimet se persona të lidhur me mbështetës të presidentit serb Aleksandar Vuçiq kanë tentuar të destabilizojnë Malin e Zi gjatë Samitit BE–Ballkani Perëndimor në Tivat.

Eurodeputetët dënuan çdo veprim që synon pengimin e rrugës evropiane të Malit të Zi.

Ministrja e Çështjeve Evropiane, Maida Gorçeviq, deklaroi se viti 2026 po rezulton historik për vendin, duke përmendur përparimin e shpejtë në negociatat me BE-në dhe organizimin e ngjarjeve të rëndësishme ndërkombëtare.

Ajo theksoi se Mali i Zi mbetet i përkushtuar për të përmbushur të gjitha reformat e nevojshme para anëtarësimit dhe synon mbylljen e të gjithë kapitujve të mbetur deri në fund të vitit.

Zyrtarët evropianë dhe malazezë paralajmëruan gjithashtu për rritjen e kërcënimeve hibride dhe ndikimeve të huaja që synojnë të ngadalësojnë procesin e integrimit, por ritheksuan se BE-ja do të vazhdojë të mbështesë Malin e Zi në rrugën drejt anëtarësimit.

SHARE