MALI I ZI MBYLL KAPITUJT 2 DHE 28 TË NEGOCIATAVE ME BE-në

Foto: Savjet EU

Mali i Zi ka mbyllur përkohësisht dy kapituj të rinj në procesin e negociatave me Bashkimin Evropian: kapitullin 2 (Lëvizja e lirë e punëtorëve) dhe kapitullin 28 (Mbrojtja e konsumatorit dhe shëndetit), që i përkasin Klasterit 2.

Komisionerja e BE-së për Zgjerim, Marta Kos, vlerësoi se Mali i Zi po ecën përpara me ritëm të shpejtë, duke theksuar se mbyllja e këtyre kapitujve sjell përfitime të drejtpërdrejta për qytetarët, si qasje më e lehtë në punësim dhe forcim të të drejtave të konsumatorëve dhe shëndetit publik.

Ajo shtoi se Komisioni Evropian planifikon një paketë financiare për Malin e Zi, e cila do të përshtasë buxhetin për procesin e anëtarësimit, duke nënvizuar rëndësinë e reformave të mëtejshme, veçanërisht në sundimin e ligjit, lirinë e medias dhe institucionet demokratike.

Kryeministri Millojko Spajiq deklaroi se Mali i Zi është i përkushtuar të përmbyllë me sukses procesin e negociatave dhe se vendi nuk “vonon dhe nuk improvizon”, por jep rezultate konkrete përmes reformave.

Ai theksoi se mbyllja e këtyre kapitujve tregon progresin e shpejtë të vendit dhe shtoi ambicien që deri në fund të vitit të mbyllen të gjithë kapitujt negociues, me synimin që Mali i Zi të bëhet anëtar i BE-së në vitin 2028.

Spajiq vlerësoi se procesi i integrimit evropian nuk është vetëm teknik, por një projekt kombëtar transformues që synon siguri, stabilitet dhe mirëqenie për qytetarët.

Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e kapitujve të mbyllur, duke i lidhur ato me lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe mbrojtjen e tyre si konsumatorë.

Përfaqësues të Bashkimit Evropian dhe shteteve anëtare theksuan mbështetjen e vazhdueshme për procesin e zgjerimit dhe vlerësuan reformat e Malit të Zi si shembull të progresit në rajon.

SHARE