SHPALLET KONKURSI PËR REGJISTRIMIN NË SHKOLLAT E MESME NË MAL TË ZI, APLIKIMET NGA 23 DERI MË 26 QERSHOR

Foto: Shutterstock

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit ka publikuar konkursin për regjistrimin e nxënësve në vitin e parë të shkollave të mesme në Mal të Zi për vitin shkollor 2026/27.

Në total janë paraparë 10.257 vende për regjistrim.

Aplikimi do të bëhet në mënyrë elektronike përmes portalit www.upisi.edu.me, nga 23 deri më 25 qershor gjatë gjithë ditës, ndërsa më 26 qershor deri në orën 15:00.

Nxënësit që e përdorin për herë të parë platformën duhet të regjistrohen paraprakisht.

Shkollat do të publikojnë çdo ditë listat e përditësuara të kandidatëve, ndërsa listat përfundimtare do të shpallen më së voni deri më 30 qershor.

Pas kësaj, nxënësit duhet të dorëzojnë dëftesat origjinale të tre klasave të fundit të shkollës fillore dhe, nëse kanë, diplomat nga garat shtetërore ose ndërkombëtare.

Të drejtë aplikimi kanë kandidatët që kanë përfunduar arsimin fillor dhe që nuk janë më të vjetër se 17 vjeç në momentin e aplikimit. Këtë vit, rreth 7.400 nxënës kanë përfunduar shkollimin fillor.

Nga numri i përgjithshëm i vendeve, 2.534 janë paraparë për gjimnaze, 4.903 për programe katërvjeçare të arsimit profesional, 2.632 për shkolla profesionale trevjeçare, ndërsa 188 vende për programe të artit muzikor dhe figurativ.

Ministria ka bërë të ditur se nuk ka ndryshime sa i përket pragut të pikëve për regjistrim: për shkollat profesionale katërvjeçare nevojiten të paktën 48 pikë, ndërsa për gjimnaze 60 pikë.

Nxënësit që regjistrohen në vitin e parë të shkollës së mesme janë të liruar nga pagesa e taksës administrative.

Gjithashtu, ata që zgjedhin programet trevjeçare sipas modelit dual të arsimit do të kenë të drejtë në kompensim financiar nga punëdhënësi gjatë periudhës së praktikës profesionale.

SHARE