MILLATOVIQ: KUVENDI TË ZGJEDHË PA VONESË GJYQTARËT E GJYKATËS KUSHTETUESE

Foto: predsjednik.me

Kabineti i Presidentit të Malit të Zi Jakov Millatoviq ka bërë thirrje urgjente që Kuvendi të zgjedhë pa vonesë dy gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, duke theksuar se kjo është një çështje kyçe për funksionimin normal të institucioneve dhe për vazhdimin e procesit të integrimit evropian të vendit.

Në reagim, theksohet se “non-paper”-i i fundit i Komisionit Evropian konfirmon atë që presidenti Millatoviq ka paralajmëruar prej kohësh: pa një Gjykatë Kushtetuese të plotësuar, funksionale dhe të pavarur nuk mund të ketë sundim të plotë të ligjit, stabilitet institucional dhe as progres të qëndrueshëm në rrugën drejt Bashkimit Evropian.

Nga kabineti i presidentit vlerësuan se kjo situatë nuk duhet të zvarritet më tej dhe se Kuvendi nuk ka arsye institucionale për të shtyrë procesin e zgjedhjes së gjyqtarëve.

Sipas njoftimit, mungesa e vendimmarrjes po e mban Gjykatën Kushtetuese në gjendje të paplotë dhe po ndikon drejtpërdrejt në funksionimin e saj.

Po ashtu, theksohet se Presidenti Millatoviq e ka kryer pjesën e tij të detyrës në mënyrë transparente dhe në përputhje me Kushtetutën, duke zhvilluar procedura të hapura, duke verifikuar kushtet ligjore të kandidatëve dhe duke propozuar emra me përvojë të rëndësishme gjyqësore, si gjyqtari i Gjykatës së Lartë në Podgoricë Predrag Krstonijeviq dhe gjyqtarja e Gjykatës Supreme Jelena Ruzhiçiq.

Në fund, nga kabineti i presidentit të Malit të Zi apelojnë që Kuvendi të marrë përgjegjësinë e tij dhe të zgjedhë pa vonesë gjyqtarët, duke e cilësuar këtë si një test të pjekurisë institucionale të Malit të Zi dhe një hap të domosdoshëm drejt përmbushjes së detyrimeve evropiane.

SHARE