Ekspertët kanë paralajmëruar prej ditësh mbërritjen e afërt të fenomenit klimatik El Niño, i cili tashmë është konfirmuar zyrtarisht.
Sipas shkencëtarëve, ky fenomen atmosferik dhe oqeanik, i lidhur me ngrohjen e ujërave në Oqeanin Paqësor ekuatorial, pritet të ndikojë ndjeshëm temperaturat globale dhe kushtet klimatike në mbarë botën.
Sipas raportimeve të BBC, duke cituar Administratën Kombëtare Oqeanike dhe Atmosferike të SHBA-së (NOAA), ky vit mund të jetë ndër më të nxehtit e regjistruar ndonjëherë, me pasoja të mundshme në klimë, furnizimin me ushqim dhe ekonomi.
Disa parashikime nuk përjashtojnë mundësinë e një “super El Niño”, që do të ishte ndër më intensivët e regjistruar deri më sot.
Shkencëtarët e NOAA-s bëjnë të ditur se kushtet e El Niño-s janë zhvilluar gjatë muajit të fundit, të evidentuara nga temperaturat mbi mesataren e sipërfaqes së detit në pjesën qendrore dhe lindore të Paqësorit ekuatorial.
Po ashtu, është vërejtur një ndryshim në drejtimin e erërave mbi Paqësor, duke treguar se atmosfera po reagon ndaj ngrohjes së oqeanit.
Megjithatë, ekspertët theksojnë se ndikimet e El Niño-s nuk janë të njëjta në të gjitha rajonet dhe kërkohet kujdes në interpretimin e pasojave.
Edhe ngjarjet shumë të forta nuk garantojnë rezultate të njëjta kudo, por rrisin probabilitetin e kushteve ekstreme të motit.
Organizata e Kombeve të Bashkuara ka paralajmëruar gjithashtu se muajt e ardhshëm mund të sjellin temperatura rekord në nivel global.
El Niño i fundit në vitet 2023–2024 ishte ndër pesë më të fuqishmit e regjistruar dhe kontribuoi në nxehtësinë ekstreme të vitit 2024, i cili shënoi temperatura globale të paprecedenta.









