Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Qeveria e Malit të Zi ka miratuar Masterplanin e investimeve në infrastrukturë për periudhën 2026–2030, i cili parashikon investime në vlerë rreth 5,75 miliardë euro.
Nga kjo shumë, rreth 4,72 miliardë euro pritet të realizohen deri në vitin 2030, me një mesatare prej rreth 944 milionë euro në vit. Plani përfshin gjithsej 258 projekte prioritare dhe synon të përqendrojë investimet publike në mënyrë më të organizuar dhe të qëndrueshme fiskalisht.
Pjesa më e madhe e investimeve lidhet me sektorin e transportit (rreth 3,32 miliardë euro), duke përfshirë vazhdimin e autostradës Tivar–Bolare, zhvillimin e aeroporteve përmes koncesioneve, si dhe modernizimin e rrjetit hekurudhor dhe rrugor.
Investime të rëndësishme parashihen edhe në:
- energjetikë (rreth 860 milionë euro)
- shëndetësi (rreth 496 milionë euro)
- infrastrukturë komunale dhe mjedis (rreth 422 milionë euro)
- arsim (rreth 227 milionë euro)
- infrastrukturë lokale (rreth 306 milionë euro)
Në arsim dhe shëndetësi planifikohen ndërtimi i shkollave të reja, një gjimnazi në Tivar, si dhe spitale e qendra shëndetësore në disa qytete, përfshirë Plevlen dhe Podgoricën.
Një projekt i madh është edhe dhënia me koncesion e aeroporteve të Podgoricës dhe Tivatit, me investime të planifikuara rreth 300 milionë euro dhe të ardhura shtesë për shtetin.
Plani thekson gjithashtu sfida të rëndësishme, si përgatitja e dobët e projekteve, koordinimi i dobët institucional dhe nevoja për menaxhim më efikas të investimeve, duke e bërë zbatimin më të rëndësishëm se vetë lista e projekteve.










