Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Skupština Crne Gore
Mali i Zi mund të humbasë 4,6 milionë euro nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian nëse deri më 30 qershor 2026 nuk përmbush obligimin për ndryshime kushtetuese në pjesën që lidhet me sistemin e drejtësisë, si pjesë e Agjendës së Reformave.
Bëhet fjalë për një masë që kërkon ndryshime në Kushtetutë në përputhje me standardet evropiane për pavarësinë, përgjegjshmërinë, integritetin dhe profesionalizmin e gjyqësorit dhe prokurorisë, si dhe me rekomandimet e Komisionit Evropian, Komisionit të Venecias dhe GRECO-s.
Në dokumentet e Agjendës së Reformave theksohet se kjo është një nga masat me “rrezik të lartë mosrealizimi”, pasi afati i mëparshëm nuk është përmbushur dhe afati përfundimtar është qershori 2026.
Qeveria e Malit të Zi ka miratuar iniciativën për ndryshime kushtetuese, ndërsa ato janë shqyrtuar në Kuvend dhe në Komisionin Kushtetues.
Procedura parasheh debat publik, si dhe më pas votim në Kuvend me shumicë prej dy të tretash të deputetëve.
Nëse ndryshimet nuk miratohen brenda afatit të përcaktuar, Mali i Zi rrezikon të humbasë fondet e parashikuara nga Plani i Rritjes i BE-së për Ballkanin Perëndimor, i cili është i kushtëzuar me reformat në sundimin e ligjit.










