SPAJIQ: JAVËN E ARDHSHME NËNSHKRUHET KONTRATA PËR NDËRTIMIN E KLINIKËS UNIVERSITARE NË PODGORICË

Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore

Kryeministri i Malit të Zi Millojko Spajiq ka njoftuar se javën e ardhshme në Mal të Zi do të nënshkruhet kontrata për ndërtimin e Klinikës Universitare në Podgoricë me kompaninë franceze Bouygues.

Ky projekt është cilësuar si me rëndësi jetike për qytetarët dhe është pjesë e forcimit të bashkëpunimit mes Malit të Zi dhe Francës në kuadër të integrimeve evropiane dhe partneritetit ekonomik.

Spajiq theksoi se bashkëpunimi me kompanitë franceze është rritur ndjeshëm në dy vitet e fundit, sidomos pas nënshkrimit të marrëveshjes për partneritet strategjik mes dy vendeve.

Në takimin në Paris me përfaqësues të MEDEF-it (Bashkimi i ndërmarrjeve franceze), kompanitë franceze shprehën interes për investime në sektorë të ndryshëm në Mal të Zi, si energjia, shëndetësia, turizmi, transporti dhe infrastruktura.

Përfaqësuesit e biznesit francez vlerësuan progresin e Malit të Zi në rrugën drejt Bashkimit Evropian dhe e konsideruan vendin gjithnjë e më tërheqës për investime.

Ndërtimi i Klinikës Universitare në Podgoricë pritet të jetë një nga projektet më të rëndësishme në sektorin e shëndetësisë në vend dhe pjesë e ciklit të madh të investimeve infrastrukturore.

SHARE