IRLANDA DËSHIRON TA PËRSHPEJTOJË ANËTARËSIMIN E MALIT TË ZI NË BASHKIMIN EVROPIAN

Foto: pcworld.al

Irlanda synon që gjatë presidencës së saj në Këshillin e Bashkimit Evropian në gjysmën e dytë të këtij viti të përqendrohet te zgjerimi i BE-së dhe përshpejtimi i negociatave me Malin e Zi, Ukrainën, Moldavinë dhe Shqipërinë.

Në një draft të platformës politike të qeverisë irlandeze, Mali i Zi përmendet si prioritet për përfundimin e negociatave të anëtarësimit dhe vlerësohet se mund të bëhet anëtar i BE-së deri në vitin 2028.

Dokumenti thekson se Irlanda dëshiron të krijojë kushtet për zgjerimin e parë të Bashkimit Evropian pas më shumë se një dekade.

Gjithashtu, thuhet se Mali i Zi dhe Shqipëria janë vendet më afër përmbushjes së reformave të nevojshme për anëtarësim.

Sipas dokumentit, lufta e Rusisë në Ukrainë i ka dhënë shtysë të re politikës së zgjerimit të BE-së, me qëllim kufizimin e ndikimit rus në Ballkan dhe Evropën Lindore.

Irlanda do të marrë presidencën e Këshillit të BE-së nga 1 korriku deri në fund të vitit dhe do të ketë rol ndërmjetësues mes vendeve anëtare për çështjet kryesore evropiane.

SHARE