IRANI DHE SHBA SHKËMBEJNË SULME TË REJA AJRORE

Forcat amerikane dhe ato iraniane kanë shkëmbyer sërish sulme, pasi Shtetet e Bashkuara goditën objektiva pranë Bandar Abbas. Nga Teherani u deklarua se është sulmuar një bazë amerikane në rajon.

Tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit u përshkallëzuan sërish në këmbim sulmesh gjatë natës. Forcat amerikane goditën caqe pranë Bandar Abbas, nga të cilat, sipas SHBA-së, ishin lëshuar dronë që kishin kërcënuar objektiva në Ngushticën e Hormuzit dhe në rajon.

Autoritetet iraniane thanë se sulmet në Bandar Abbas goditën aeroportin, por nuk shkaktuan dëme apo viktima.

Nga ana tjetër, Shtetet e Bashkuara deklaruan se forcat e tyre shkatërruan disa lëshues dronësh.

Pak më vonë, Garda Revolucionare e Iranit njoftoi se, si kundërpërgjigje, sulmoi bazën amerikane nga e cila dyshohet se u nisën sulmet drejt Bandar Abbas dhe paralajmëroi për sulme edhe më të fuqishme nëse Shtetet e Bashkuara vazhdojnë me veprime të tilla.

Ndërkohë, Kuvajti tha se mbrojtja ajrore ka ndaluar disa dronë që hynë në hapësirën e tij ajrore, por deri tani autoritetet nuk kanë bërë të ditur se kush i ka lëshuar ato.

Këmbimi i sulmeve ndodh në një kohë tensionesh të larta mes dy palëve, ndërsa përpjekjet për një marrëveshje paqësore mbeten të bllokuara prej javësh.

SHARE