Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka deklaruar se Mali i Zi mund të llogarisë në mbështetjen e plotë politike të Francës në fazën përfundimtare të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, përfshirë edhe përgatitjen e Traktatit të Anëtarësimit.
Gjatë bisedimeve, u konfirmuan marrëdhëniet e afërta dhe miqësore mes dy shteteve dhe u theksua rëndësia e intensifikimit të bashkëpunimit në fusha të ndryshme, përfshirë atë politike, ekonomike dhe strategjike.
Një fokus i veçantë i diskutimeve ishte mbështetja e fortë politike dhe eksperte e Francës për Malin e Zi në fazën përmbyllëse të negociatave me Bashkimin Evropian.
Të dy bashkëbiseduesit u pajtuan për objektivin e përbashkët që Mali i Zi të përmbyllë të gjitha kapitujt negociues deri në fund të vitit 2026, me synimin që vendi të jetë i gatshëm për anëtarësim në BE deri në vitin 2028. Ky objektiv u vlerësua si një hap i rëndësishëm në përshpejtimin e procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe konsolidimit të perspektivës evropiane të rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Macron vlerësoi lart reformat dhe rezultatet e arritura nga Mali i Zi në procesin e integrimeve evropiane, duke theksuar se Franca mbetet një partner i qëndrueshëm dhe i fuqishëm në këtë rrugë.
Ai shtoi se Mali i Zi është një shembull pozitiv që dëshmon se politika e zgjerimit të BE-së është e mundur dhe e realizueshme, duke sjellë rezultate konkrete nëse zbatohen reformat e nevojshme.
Nga ana e tij, kryeministri Millojko Spajiq theksoi se Mali i Zi, si vendi më i avancuar në procesin e integrimit evropian, ka bërë progres të dukshëm, duke përfshirë edhe hapjen dhe mbylljen e përkohshme të një numri të madh kapitujsh negociues.
Ai nënvizoi se vendi mbetet plotësisht i përkushtuar ndaj reformave, me theks të veçantë në sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe forcimin e institucioneve demokratike.
Në përmbyllje të takimit, u theksua se procesi i zgjerimit të BE-së po hyn në një fazë të re gjeopolitike, ku Mali i Zi shihet si një shembull i rëndësishëm i suksesit të këtij procesi. Të dy palët shprehën gatishmëri për të vazhduar bashkëpunimin e ngushtë në mënyrë që procesi i anëtarësimit të përmbyllet me sukses dhe në afatet e përcaktuara.









