MILLATOVIQ I SHKRUAN KOMISIONERES KOS: MALI I ZI KËRKON PËRFSHIRJE MË TË MADHE NË INICIATIVAT KULTURORE EVROPIANE

Foto: predsjednik.me

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, i ka dërguar një letër komisioneres së BE-së për zgjerim, Marta Kos, ku kërkon përfshirje më të fortë të Malit të Zi në iniciativat kryesore kulturore evropiane. Në letër theksohet se rruga evropiane e Malit të Zi nuk duhet të bazohet vetëm në reforma institucionale, por edhe në kulturë, trashëgimi dhe vlera të përbashkëta me Evropën.

Millatoviq nënvizon se kultura është pjesë e rëndësishme e identitetit evropian të vendit dhe e procesit të integrimit në BE.

Ai propozon që Mali i Zi të përfshihet në iniciativën European Heritage Label, duke theksuar se trashëgimia e pasur kulturore e vendit mund të kontribuojë në promovimin e historisë dhe vlerave të përbashkëta evropiane, veçanërisht për të rinjtë.

Po ashtu, presidenti shpreh interes që Mali i Zi të jetë edhe platformë rajonale për aktivitete në kuadër të kornizës Culture Compass for Europe, me fokus në trashëgiminë kulturore, pjesëmarrjen e të rinjve, mobilitetin kulturor dhe bashkëpunimin rajonal.

Në letër theksohet gjithashtu nevoja për lidhjen e burimeve evropiane me projektet kulturore dhe infrastrukturën kulturore, duke argumentuar se investimet në kulturë forcojnë demokracinë, kohezionin shoqëror dhe procesin e integrimit evropian.

Samiti i ardhshëm BE – Ballkani Perëndimor në Podgoricë shihet si një mundësi për të riafirmuar rëndësinë e kulturës në procesin e zgjerimit dhe për të rritur dukshmërinë e kontributit kulturor të rajonit në Evropë.

SHARE