Foto: Ministria e Turizmit / Ministarstvo turizma
Ministrja e Turizmit, Simonida Kordiq, gjatë një vizite zyrtare në Ulqin deklaroi se qyteti po regjistron rritje të ndjeshme të numrit të vizitorëve krahasuar me vitin e kaluar dhe me vitin referues 2019.
Ajo theksoi se Ulqini është një nga zonat më të rëndësishme dhe më të vlefshme turistike në Mal të Zi, duke shtuar se synimi është zhvillimi i mëtejshëm i ofertës turistike që do të mundësojë funksionimin e qytetit gjatë gjithë vitit, jo vetëm në sezonin veror.
Një theks i veçantë u vendos te turizmi festiv, ku këtë vit Ulqini do të jetë nikoqir i festivalit ndërkombëtar EXIT, i cili pritet të sjellë një numër të madh vizitorësh nga rajoni dhe Evropa.
Kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu, vlerësoi vizitën si mundësi për forcimin e bashkëpunimit dhe realizimin e projekteve të përbashkëta, përfshirë ndërtimin e “qendrës për turizëm dhe kulturë” në zonën e Pristanit, që synon promovimin dhe zgjatjen e sezonit turistik.
Pas takimit, delegacioni vizitoi ndërmarrjen hoteliere-turistike “Riviera e Ulqinit”, ku drejtori Armend Mila theksoi bashkëpunimin e mirë me institucionet shtetërore dhe paralajmëroi investime të mëtejshme në modernizimin e kapaciteteve turistike, me synimin që Ada e Bunës deri në vitin 2031 të zhvillohet në nivelin e një destinacioni me 4 yje.










