EUROPA DIGJET NGA I NXEHTI, VALË EKSTREME TEMPERATURASH THYEN REKORDET E MUAJIT MAJ

Një valë e pazakontë të nxehti ka përfshirë Europën Perëndimore, duke thyer rekorde temperaturash për muajin maj në disa vende si Mbretëria e Bashkuar, Franca, Spanja dhe Italia.

Meteorologët shpjegojnë se fenomeni është shkaktuar nga një “kupolë nxehtësie”, e cila ka sjellë masa ajri të nxehtë nga Afrika e Veriut dhe i ka bllokuar mbi Europën Perëndimore.

Në Britani u regjistrua dita më e nxehtë e majit në histori, me temperaturë 34.8 gradë Celsius në Kew Gardens të Londrës, ndërsa në Francë temperaturat arritën deri në 36 gradë.

Autoritetet paralajmëruan se vala e të nxehtit do të zgjasë deri në fundjavë.

Autoritetet franceze raportuan të paktën shtatë viktima të lidhura drejtpërdrejt ose tërthorazi me vapën ekstreme.

Pesë prej tyre humbën jetën nga mbytja, pasi shumë persona iu drejtuan plazheve dhe zonave ujore për t’u freskuar.

Shkencëtarët paralajmërojnë se ndryshimet klimatike të shkaktuara nga aktiviteti njerëzor po i bëjnë fenomene të tilla gjithnjë e më të shpeshta dhe më intensive.

Në Paris, tifozët e tenisit në turneun “French Open” u përballën me temperatura përvëluese mbi 33 gradë Celsius, ndërsa në Spanjë meteorologët paralajmëruan për “net tropikale”, ku temperaturat nuk zbresin as gjatë natës.

Në Itali, rajoni i Lazios, ku përfshihet edhe Roma, miratoi masa të reja që kufizojnë punën në ambiente të hapura gjatë orëve më të nxehta të ditës.

Sipas të dhënave të Administratës Kombëtare Amerikane të Oqeanit dhe Atmosferës (NOAA), Evropa është kontinenti që është ngrohur më shpejt që nga viti 1990.

SHARE