PËRFAQËSUESIT E QEVERISË DHE OPOZITËS TË GATSHËM PËR DIALOG NË KUADËR TË BE-së

Foto: Ilustrim

Përfaqësuesit e shumicës qeverisëse dhe opozitës në Mal të Zi kanë shprehur gatishmërinë për të punuar së bashku, përmes një procesi gjithëpërfshirës politik, në gjetjen e zgjidhjeve të përbashkëta në fusha me rëndësi për përmbushjen e agjendës evropiane të vendit.

Kjo u bë e ditur nga Delegacioni i Bashkimit Evropian në Podgoricë, pas një takimi të mbajtur me ndërmjetësimin e ambasadorit Johan Sattler.

Në takim morën pjesë kryeministri Millojko Spajiq, kryetari i Kuvendit Andrija Mandiq, si dhe përfaqësues të qeverisë dhe opozitës, përfshirë edhe Partinë Demokratike të Socialistëve. 

Bisedimet u zhvilluan në një atmosferë të hapur dhe konstruktive, me theks në rëndësinë e rivendosjes së besimit mes aktorëve politikë si një kusht kyç për përparimin e Malit të Zi në negociatat me Bashkimin Evropian.

Nga Delegacioni i BE-së u theksua se konsultimet do të vazhdojnë në periudhën e ardhshme. Sipas informacioneve jozyrtare, një nga temat e diskutimit ka qenë edhe mundësia e rikthimit të PDS-së në disa procese parlamentare dhe pozita institucionale, gjë që do të ndihmonte në sigurimin e shumicës së nevojshme prej dy të tretash për reforma të rëndësishme kushtetuese dhe institucionale, përfshirë reformën në drejtësi dhe ligjet e sigurisë.

BE thekson se pa përfshirjen e opozitës nuk mund të ketë përfundim të suksesshëm të reformave kyçe, ndërsa në Mal të Zi vazhdojnë debatet politike për ligjet në fushën e sigurisë dhe reformën e policisë dhe Agjencisë për Sigurinë Kombëtare, të cilat kanë shkaktuar ndarje mes qeverisë dhe opozitës.

SHARE