SHTYHET AFATI I PROVIMIT TË MATURËS EKSTERNE

Foto: Ilustrim

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit ka njoftuar opinionin se afati i provimit të maturës eksterne, i planifikuar për më 5 qershor, do të shtyhet, ndërsa data e re dhe hapat e mëtejshëm lidhur me procesin e provimeve do t’u komunikohen me kohë publikut, shkollave, nxënësve, prindërve dhe mësimdhënësve.

Në njoftimin e Ministrisë theksohet se, për shkak të mbajtjes së Samitit BE – Ballkani Perëndimor në Mal të Zi, i planifikuar po ashtu më 5 qershor në Tivat, Komiteti Organizativ për përgatitjen dhe realizimin e këtij eventi të rëndësishëm ndërkombëtar ka informuar se gjatë zhvillimit të samitit do të ketë mbyllje të përkohshme të disa rrugëve dhe pjesëve të qytetit, gjë që mund të pengojë organizimin e transportit dhe qasjen në shkolla apo në vendet ku do të zhvillohen provimet.

“Mbajtja e Samitit përfaqëson një ngjarje me rëndësi të jashtëzakonshme për imazhin ndërkombëtar të Malit të Zi, perspektivën e tij evropiane dhe forcimin e bashkëpunimit rajonal. Me këtë rast, sot në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit u mbajt një takim ku morën pjesë përfaqësues të Komitetit Organizativ të Samitit, Ministrisë dhe Qendrës së Provimeve, me qëllim që të shqyrtohen të gjitha rrethanat dhe të sigurohet zhvillimi pa pengesa i procesit arsimor, me theks të veçantë në organizimin e provimit të maturës dhe atij profesional të planifikuar për 5 qershor”, thuhet në njoftim.

Pas shqyrtimit të të gjitha fakteve relevante dhe sfidave të mundshme në organizimin e transportit dhe qasjes në shkolla apo në vendet e provimeve, është konstatuar se është e domosdoshme të bëhen ndryshime në Kalendarin Shkollor për vitin shkollor 2025/2026, përkatësisht në aktivitetet e planifikuara për më 5 qershor.

Ata shtojnë se qëllimi i këtij vendimi është që të gjithë nxënësve t’u sigurohen kushte të barabarta për dhënien e provimeve, si dhe që provimet e maturës dhe ato profesionale të zhvillohen pa vështirësi, vonesa apo ngarkesa shtesë për nxënësit, prindërit dhe mësimdhënësit.

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit dhe Qendra e Provimeve do ta informojnë me kohë publikun, shkollat, nxënësit, prindërit dhe mësimdhënësit për të gjitha ndryshimet e afateve dhe hapat e mëtejshëm lidhur me realizimin e procesit të provimeve.

SHARE