BE I AKORDON MALIT TË ZI 44,2 MILIONË EURO SHTESË PËRMES PLANIT TË RRITJES

Foto: Shutterstock

Bashkimi Evropian ka vënë në dispozicion 44,2 milionë euro shtesë për Malin e Zi në kuadër të Instrumentit për Reforma dhe Rritje.

Sipas Komisionit Evropian, këto fonde janë dhënë pas vlerësimit pozitiv të reformave që ka bërë Mali i Zi në fushën e kërkimit shkencor dhe inovacionit, duke përfshirë mbështetjen për shkencëtarët, bizneset dhe institucionet kërkimore, si dhe forcimin e ekosistemit kombëtar të inovacionit.

Nga kjo shumë, 20,6 milionë euro do të shkojnë direkt në buxhetin e shtetit, ndërsa pjesa tjetër do të përdoret për projekte investimi përmes Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor. 

Në të njëjtën paketë financiare, BE ka ndarë edhe 49 milionë euro për Shqipërinë dhe 65,7 milionë euro për Maqedoninë e Veriut, pas vlerësimeve pozitive të reformave të tyre në fusha të ndryshme si ekonomia, arsimi dhe digjitalizimi.

Në total, deri tani janë ndarë 212,8 milionë euro për Shqipërinë, 89,3 milionë euro për Malin e Zi dhe 142,1 milionë euro për Maqedoninë e Veriut në kuadër të këtij instrumenti.

SHARE