TRUMP PEZULLON SULMIN E PLANIFIKUAR NDAJ IRANIT, TEKSA VAZHDOJNË NEGOCIATAT PËR PAQE

Donald Trump njoftoi se ka pezulluar “sulmin e planifikuar ndaj Iranit” me kërkesë të Emirit të Katarit, Princit të Kurorës së Arabisë Saudite dhe udhëheqësit të Emirateve të Bashkuara Arabe, duke nënvizuar nisjen e negociatave serioze, siç i përshkroi ai.

“I kam dhënë udhëzime Sekretarit të Luftës, Pete Hegseth, Shefit të Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralit Daniel Caine, dhe Forcave të Armatosura të Shteteve të Bashkuara që sulmi ndaj Iranit të mos realizohet”, shkroi Trump në rrjetin e tij social Truth Social.

Ai shtoi më tej se pret një marrëveshje që parashikon që Republika Islamike të mos ketë kurrë armë bërthamore.

Megjithatë, ai theksoi se ka bërë të qartë se duhet të jenë të gatshëm për një sulm të gjerë ndaj Iranit në çdo moment, nëse nuk arrihet një marrëveshje e pranueshme.

Trump deklaroi se vendet arabe i kishin kërkuar të shtyjë sulmin për “dy ose tre ditë”, sepse besojnë se janë shumë pranë arritjes së një pakti.

Ndërkohë, sipas The New York Times, Irani po përgatitet për mundësinë e një rinisjeje të sulmeve amerikane dhe ka lënë të kuptohet se nuk do të hezitojë t’u shkaktojë një kosto të lartë vendeve fqinje dhe ekonomisë globale në rast agresioni.

Ndër opsionet që Teherani po shqyrton është edhe kontrolli i Ngushticës Bab al-Mandeb, korridorit të ngushtë detar që lidh Detin e Kuq me Gjirin e Adenit dhe përmes të cilit kalon rreth një e dhjeta e tregtisë botërore.

Kjo ngushticë ndodhet pranë territoreve të kontrolluara nga rebelët Huthi, grupet paraushtarake jemenite të mbështetura nga Irani. Liderët iranianë, sipas medias prestigjioze, parashikojnë luftime “të shkurtra, por me intensitet të lartë”, përfshirë sulme të koordinuara dhe të rënda ndaj infrastrukturës energjetike.

Sipas raportimeve, përgjigjja e Iranit do të ishte lëshimi i dhjetëra apo qindra raketave në ditë, me synimin për të ndryshuar ekuilibrat në terren. Një skenar i tillë do t’i detyronte gjithashtu vendet arabe të Gjirit të përgatiten për një përshkallëzim të sulmeve ndaj tyre.

SHARE