500 RASTE TË KONFIRMUARA DHE 130 VIKTIMA / EBOLA BËN ‘KËRDINË’, OBSH ‘SHUMË E SHQETËSUAR’

Shefi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) deklaroi të martën se është “thellësisht i shqetësuar” për shpërthimin e Ebolës në Republikën Demokratike të Kongos, i cili është përhapur edhe në Ugandë dhe dyshohet se ka shkaktuar 131 viktima.

OBSH të dielën e shpalli këtë shpërthim si një emergjencë shëndetësore publike me shqetësim ndërkombëtar, që është niveli i dytë më i lartë i alarmit sipas rregulloreve ndërkombëtare të shëndetit.

“Ky nuk ishte një vendim i lehtë; jam thellësisht i shqetësuar për shkallën dhe shpejtësinë e përhapjes së epidemisë”, tha shefi i OBSH-së në Asamblenë Botërore të Shëndetësisë në Gjenevë.

Ai shtoi se do të thërrasë komitetin e emergjencës së agjencisë më vonë gjatë ditës për të dhënë rekomandime të përkohshme. Shpërthimi i etheve hemorragjike shumë ngjitëse u konfirmua të premten në provincën Ituri, në verilindje të Republikës Demokratike të Kongos, pranë kufirit me Ugandën dhe Sudanin e Jugut, sipas Qendrave Afrikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.

Ky është shpërthimi i 17-të i Ebolës në këtë vend, ndërsa autoritetet paralajmërojnë për rrezik të lartë përhapjeje.

Sipas të dhënave më të fundit të Ministrisë së Shëndetësisë, numri i viktimave të dyshuara ka arritur në 131, ndërsa janë raportuar 513 raste të konfirmuara.

Megjithatë, për shkak se shpërthimi është përqendruar në zona të vështira për t’u arritur, vetëm një pjesë e rasteve janë testuar në laborator. Shefi i OBSH-së konfirmoi gjithashtu se një shtetas amerikan ka rezultuar pozitiv dhe është transferuar në Gjermani për trajtim.

Shqetësim i madh mbetet fakti se shpërthimi po ndodh në një zonë konflikti, ku dhuna është intensifikuar muajt e fundit dhe mbi 100 mijë persona janë zhvendosur. Sipas OBSH-së, epidemia është shkaktuar nga varianti Bundibugyo i virusit të Ebolës, për të cilin aktualisht nuk ka vaksinë dhe as trajtim specifik.

SHARE