Foto: predsjednik.me
Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, deklaroi se Mali i Zi sot është më afër se kurrë anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke theksuar se kjo është arritur falë viteve të reformave, punës institucionale dhe përkushtimit ndaj vlerave evropiane.
Gjatë një konference për media në Nikozia, së bashku me presidentin e Qipros, Nikos Christodoulides, Millatoviq tha se marrëdhëniet mes Malit të Zi dhe Qipros përfaqësojnë një shembull të miqësisë së sinqertë, besimit politik dhe bashkëpunimit të bazuar në vlera të përbashkëta evropiane.
Ai theksoi se dy shtetet, edhe pse të vogla, mund të kenë zë të fuqishëm në mbrojtjen e paqes, stabilitetit dhe lirisë.
Sipas tij, në kohën e sfidave të mëdha globale, partneritetet e sinqerta dhe besimi reciprok janë më të rëndësishme se kurrë.
Millatoviq vlerësoi takimet dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm mes zyrtarëve të dy vendeve, duke thënë se ato dëshmojnë afërsinë politike dhe vizionin e përbashkët për të ardhmen evropiane.
Ai nënvizoi se rruga drejt Bashkimit Evropian është momenti më i rëndësishëm në historinë moderne të Malit të Zi dhe shtoi se për vendin e tij BE-ja nuk është vetëm një proces administrativ apo burokratik, por një zgjedhje vlerash.
Sipas Millatoviqit, BE-ja nënkupton shtet ku ligji vlen njësoj për të gjithë, institucione funksionale dhe jetë më të sigurt e më të mirë për qytetarët.
Presidenti i Malit të Zi falënderoi Qipron për mbështetjen e vazhdueshme ndaj integrimit evropian të Malit të Zi, si dhe për rolin e rëndësishëm në nisjen e punës së grupit ad hoc për përgatitjen e Marrëveshjes së Anëtarësimit të Malit të Zi në BE.
Në konferencë u theksua gjithashtu se perspektiva evropiane e Ballkanit Perëndimor nuk është vetëm një mundësi politike, por kusht për paqe të qëndrueshme, stabilitet dhe zhvillim të rajonit.
Millatoviq foli edhe për Samitin BE – Ballkani Perëndimor, i cili do të mbahet më 5 qershor në Tivat, ku do të marrë pjesë edhe presidenti qipriot. Ai tha se Tivati nuk do të jetë vetëm vendtakim i liderëve evropianë, por një mesazh i qartë se Ballkani Perëndimor i përket Evropës politikisht, historikisht dhe në aspektin e vlerave.
Duke folur për marrëdhëniet dypalëshe, Millatoviq theksoi se Mali i Zi dëshiron forcimin e partneritetit me Qipron përmes investimeve, ekonomisë dhe projekteve të përbashkëta zhvillimore, veçanërisht në sektorët e turizmit, energjetikës, infrastrukturës dhe shërbimeve. Ai shtoi se lidhja mes biznesmenëve, studentëve, universiteteve dhe qytetarëve krijon miqësi të qëndrueshme mes shteteve. Në fund,
Millatoviq deklaroi se suksesi i një shteti nuk matet me madhësinë e territorit, por me forcën e institucioneve dhe cilësinë e reformave. Ai tha se ëndrra evropiane e Malit të Zi tashmë nuk është më një ide e largët, por një objektiv me plan dhe mundësi reale për t’u realizuar.
“Gjëja më e rëndësishme është se ekziston besimi i qytetarëve se Mali i Zi i përket Evropës dhe se brezat e ardhshëm do të jetojnë në një shtet të qëndrueshëm, të rregulluar dhe plotësisht evropian. Populli që beson në të ardhmen e tij nuk mund të ndalet”, deklaroi Millatoviq.










