IRANI I PËRGJIGJET PROPOZIMIT TË SHBA-së, FOKUSI: MBYLLJA E KONFLIKTIT DHE DËMSHPËRBLIM

Irani thotë se i është përgjigjur listës me pesë pika të paraqitur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës më herët, ku regjimit të ajatollahëve i kërkohej të mbante vetëm një objekt bërthamor dhe të transferonte rezervat e uraniumit të pasuruar në SHBA.

Republika Islamike ka deklaruar se tani i ka dorëzuar palës amerikane, përmes Pakistanit, një propozim të ri me 14 pika, i cili është i fokusuar kryesisht në ndalimin e luftës, sipas agjencisë iraniane të lajmeve Tasnim, duke cituar një burim të afërt me negociatat.

Teherani pretendon se komunikimet po vazhdojnë përmes ndërmjetësuesve pakistanezë dhe se po mbron kërkesat e tij, përfshirë zhbllokimin e pasurive të ngrira jashtë vendit dhe heqjen e sanksioneve afatgjata.

Po ashtu, Irani kërkon edhe dëmshpërblim për dëmet e luftës, duke e cilësuar konfliktin si “të paligjshëm dhe të pabazuar”.

Nga ana tjetër, SHBA-ja ka refuzuar të zhbllokojë ndonjë pjesë të pasurive iraniane dhe ka paralajmëruar se armiqësitë do të ndalen vetëm nëse Irani pranon negociata formale për paqe.

Presidenti amerikan Donald Trump ka kërcënuar të dielën se “nuk do të mbetet asgjë nga Irani” nëse nuk pranon kërkesat e SHBA-së dhe nuk arrin një armëpushim të përhershëm.

Këshilli Suprem i Sigurisë Kombëtare të Iranit ka njoftuar gjithashtu krijimin e një entiteti të ri për menaxhimin e Ngushticës së Hormuzit, të cilën Irani e ka vendosur nën kontroll praktik dhe ka paralajmëruar vendosjen e tarifave për kalimin e anijeve.

SHARE