SHPËRTHEN EBOLA, 80 TË VDEKUR / OBSH SHPALL EMERGJENCË GLOBALE SHËNDETËSORE

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) e ka shpallur shpërthimin e Ebolës në Republikën Demokratike të Kongos një emergjencë shëndetësore publike me shqetësim ndërkombëtar.

Agjencia tha se shpërthimi në provincën lindore Ituri të Republikës Demokratike të Kongos, ku janë regjistruar rreth 246 raste të dyshuara dhe 80 vdekje, nuk i plotëson kriteret për t’u shpallur pandemi.

Megjithatë, ajo paralajmëroi se ekziston rreziku që ky shpërthim të jetë shumë më i madh sesa ai që po raportohet aktualisht, me mundësi të konsiderueshme për përhapje lokale dhe rajonale.

Sipas OBSH-së, Ebola shkaktohet nga virusi Bundibugyo, për të cilin nuk ka ilaçe apo vaksina të miratuara.

Simptomat e hershme përfshijnë ethe, dhimbje muskujsh, lodhje, dhimbje koke dhe dhimbje fyti, ndërsa më pas mund të shfaqen të vjella, diarre, skuqje dhe gjakderdhje.

OBSH tha se deri tani janë konfirmuar tetë raste të virusit në laborator, ndërsa raste të tjera të dyshuara dhe vdekje janë regjistruar në tri zona shëndetësore në Kongo.

Agjencia shtoi se virusi është përhapur edhe përtej kufijve të Republikës Demokratike të Kongos, pasi në Ugandën fqinje janë konfirmuar dy raste.

Autoritetet në Ugandë thanë se një burrë 59-vjeçar, i cili vdiq të enjten, kishte rezultuar pozitiv me virusin.

OBSH theksoi se situata e paqëndrueshme e sigurisë dhe kriza humanitare në Republikën Demokratike të Kongos, së bashku me lëvizshmërinë e lartë të popullsisë dhe numrin e madh të strukturave joformale shëndetësore, e rrisin rrezikun e përhapjes.

Vendet fqinje me Kongon konsiderohen me rrezik të lartë për shkak të tregtisë dhe lëvizjeve të shpeshta të njerëzve.

Ebola u zbulua për herë të parë në vitin 1976 në atë që sot është Republika Demokratike e Kongos dhe mendohet se është përhapur nga lakuriqët e natës. Ky është shpërthimi i 17-të i kësaj sëmundjeje në vend.

Sëmundja përhapet përmes kontaktit të drejtpërdrejtë me lëngjet trupore dhe përmes lëkurës së dëmtuar, duke shkaktuar gjakderdhje të rëndë dhe dështim të organeve.

Sipas OBSH-së, nuk ekziston ende një kurë e provuar për Ebolën, ndërsa shkalla mesatare e vdekshmërisë është rreth 50%.

SHARE