KOMUNA E TUZIT MOHON AKUZAT PËR HEQJEN E FLAMUJVE TË MALIT TË ZI

Komuna e Tuzit ka njoftuar se pretendimet për një planifikim apo tentim të supozuar për largimin e flamujve malazezë, të vendosur me rastin e shënimit të 20-vjetorit të pavarësisë së Malit të Zi, janë të pavërteta dhe paraqesin dezinformim.

Nga kjo administratë lokale kanë bërë të ditur se qyteti, si çdo vit, do të stoliset me flamujt shtetërorë të Malit të Zi, si dhe me simbolet kombëtare të shqiptarëve, duke theksuar se qytetarët e Malësisë i hedhin poshtë përpjekjet për krijimin e përçarjeve dhe politizimin e kësaj çështjeje.

“Pretendimet se Komuna e Tuzit ka planifikuar apo ka tentuar të largojë flamujt malazezë të vendosur me rastin e shënimit të 20-vjetorit të pavarësisë së Malit të Zi nuk janë të sakta dhe përbëjnë dezinformim. Një grup i vogël njerëzish sot po përpiqet ta paraqesë Tuzin si një qytet që nuk e respekton shtetin, pikërisht në prag të shënimit të jubileut të madh, 20-vjetorit të pavarësisë së Malit të Zi”, thuhet në reagimin e komunës.

Ata theksojnë se Malësia nuk ka nevojë t’i dëshmojë askujt përkushtimin e saj ndaj Malit të Zi qytetar dhe të pavarur.

“Qytetarët tanë pothuajse njëzëri e mbështetën ripërtëritjen e pavarësisë dhe dhanë një kontribut historik në atë proces. Përpjekje të tilla për politizim dhe nxitje të përçarjeve, qytetarët e Tuzit i njohin prej kohësh dhe i refuzojnë. Si çdo vit, qyteti do të zbukurohet me flamujt shtetërorë të Malit të Zi, por edhe me flamujt kombëtarë të shqiptarëve, të cilët përfaqësojnë identitetin, historinë dhe dinjitetin e popullit tonë. Pikërisht bashkëjetesa, respekti i ndërsjellë dhe kultivimi i dallimeve përbëjnë vlerat mbi të cilat Malësia e ndërton të ardhmen e saj”, kanë theksuar nga Komuna e Tuzit.

SHARE