Foto: presjednik.me
Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, gjatë një vizite zyrtare në Estoni, është takuar me kryetarin e Parlamentit të Estonisë, Lauri Hussar. Në takim u theksua rëndësia e forcimit të bashkëpunimit parlamentar si mbështetje për integrimet evropiane të Malit të Zi.
Palët vlerësuan se bashkëpunimi më i ngushtë mes parlamenteve ndihmon në shkëmbimin e përvojave për zbatimin e reformave, forcimin e institucioneve demokratike dhe përafrimin e legjislacionit me të drejtën e Bashkimit Evropian.
U veçua gjithashtu rëndësia e përvojës së Estonisë në procesin e integrimeve evropiane, veçanërisht në fushën e digjitalizimit dhe efikasitetit të administratës publike, e cila mund të shërbejë si model për Malin e Zi.
Kryetari i Parlamentit të Estonisë shprehu mbështetje të plotë për aspiratat evropiane të Malit të Zi dhe përfundimin me sukses të procesit të anëtarësimit, duke përfshirë ratifikimin e marrëveshjes së pranimit në BE.










