Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Qeveria e Malit të Zi, me propozim të Ministrisë së Energjisë dhe Minierave, miratoi Planin e Krizës për menaxhimin e çrregullimeve në furnizimin me derivate të naftës, duke vendosur për herë të parë një sistem të qartë reagimi në rast të krizave serioze në tregun e karburanteve.
Ministri Admir Shahmanoviq theksoi se ky plan përbën një nga hapat më të rëndësishëm në forcimin e sigurisë energjetike të shtetit, me qëllim mbrojtjen e qytetarëve dhe ekonomisë edhe në kushte të krizave globale dhe paqëndrueshmërisë së tregjeve energjetike.
Plani është hartuar pas një periudhe të gjatë pune dhe është harmonizuar me standardet e Bashkimit Evropian dhe të Komunitetit të Energjisë.
Ai përcakton qartë procedurat e reagimit të shtetit në rast të problemeve me furnizimin, mënyrën e aktivizimit të rezervave të karburantit dhe institucionet përgjegjëse për marrjen e vendimeve.
Një vëmendje e veçantë i kushtohet mbrojtjes së përdoruesve prioritarë si spitalet, shërbimet emergjente dhe sektorët jetikë për funksionimin normal të shtetit, ndërsa parashikohen edhe masa për stabilizimin e tregut dhe mbrojtjen e standardit të qytetarëve.
Sipas ministrit, ky dokument e bën Malin e Zi më të përgatitur për situata të papritura dhe siguron një sistem të organizuar dhe transparent reagimi, duke forcuar kështu sigurinë energjetike të vendit.










