Papa Leoni ka dënuar rritjen e shpenzimeve ushtarake në Evropë, të cilat vitin e kaluar shënuan rritjen më të madhe që nga fundi i Luftës së Ftohtë, mes presioneve nga Presidenti amerikan Donald Trump, duke i cilësuar ato si një “tradhti të diplomacisë”.
Duke folur para studentëve në Universitetin “Sapienza” në Romë, Papa Leoni tha se riarmatimi nuk duhet të quhet “shpenzim mbrojtës”, duke theksuar se bota po “gjymtohet nga luftërat”.
“Të mos e quajmë ‘mbrojtje’ një riarmatim që rrit tensionet dhe pasigurinë, varfëron investimet në arsim dhe shëndetësi, tradhton besimin në diplomaci dhe pasuron elitat që nuk interesohen për të mirën e përbashkët”, u shpreh ai.
Sipas të dhënave të Institutit Ndërkombëtar të Kërkimeve për Paqen në Stokholm, shpenzimet ushtarake në Evropë janë rritur me 14% në vitin 2025, duke arritur në 864 miliardë dollarë, në kushtet e luftës Rusi–Ukrainë dhe rritjes së investimeve në mbrojtje nga vendet anëtare të NATO-s.
Presidenti Donald Trump ka kërkuar vazhdimisht që aleatët evropianë të rrisin shpenzimet ushtarake dhe ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv për të favorizuar në shitjet e armëve vendet që shpenzojnë më shumë për mbrojtje.
Nën ndikimin e këtyre zhvillimeve, NATO në vitin 2025 ka mbështetur një objektiv të ri për shpenzimet e mbrojtjes deri në 5% të PBB-së së vendeve anëtare.
Papa Leoni ka paralajmëruar gjithashtu për rreziqet e përdorimit të inteligjencës artificiale në luftë, duke përmendur konfliktet në Ukrainë, Gaza, Liban dhe Iran si shembuj të “evolucionit çnjerëzor” të luftës dhe teknologjisë.
Ai u bëri thirrje studentëve të mos mbyllen brenda ideologjive dhe kufijve kombëtarë dhe të angazhohen për paqe të vërtetë në nivel global.









