Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, është takuar në Podgoricë me kryeministrin e Malit të Zi, Millojko Spajiq, ku ka vlerësuar lartë rolin e vendit në aleancën euroatlantike.
Ai theksoi se Mali i Zi është një anëtar i besuar i NATO-s dhe luan rol të rëndësishëm në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor, një rajon me rëndësi strategjike për aleancën.
Rutte deklaroi se NATO mbështet demokracinë dhe reformat në rajon, por paralajmëroi se ekzistojnë aktorë që përpiqen të destabilizojnë Ballkanin dhe ta kthejnë rajonin prapa në aspektin e zhvillimit dhe stabilitetit.
Ai shtoi se NATO do të reagojë ndaj çdo aktiviteti keqdashës dhe do të vazhdojë të forcojë sigurinë kolektive.
Ai e cilësoi Malin e Zi si “eksportues sigurie”, duke përmendur kontributin e tij në misionet ndërkombëtare të NATO-s, përfshirë pjesëmarrjen në forcat e dislokuara në Letoni dhe Bullgari, si dhe në misionin KFOR në Kosovë.
Po ashtu, ai vlerësoi faktin që Mali i Zi ndan mbi 2% të PBB-së për mbrojtje dhe u shpreh se pret vazhdim të këtij angazhimi.
Kryeministri Spajiq theksoi se besimi i qytetarëve në Forcat e Armatosura të Malit të Zi është në nivel historik dhe se vendi po avancon në reformat e mbrojtjes dhe modernizimin e ushtrisë.
Ai shtoi se bashkëpunimi me NATO-n dhe partnerët, përfshirë SHBA-në, po forcohet gjithnjë e më shumë.
Në takim u diskutua edhe situata gjeopolitike globale, përfshirë luftën në Ukrainë dhe sfidat e sigurisë nga Kina, si dhe nevoja që vendet e NATO-s të rrisin investimet në mbrojtje. Gjithashtu, u përmend procesi i integrimit evropian të Malit të Zi, ku u theksua progresi në negociatat me Bashkimin Evropian dhe pritjet për fazat përfundimtare të anëtarësimit.











