UNIONI “KUFIZON” RRJETET SOCIALE, URSULA VON DER LEYEN: KËTO PLATFORMA PO I TRAJTOJNË FËMIJËT SI MALL

Bashkimi Evropian po përgatit rregulla më të ashpra për rrjetet sociale, me fokus mbrojtjen e fëmijëve dhe të rinjve nga përmbajtjet dhe modelet që krijojnë varësi.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, deklaroi nga  Kopenhageni se platformat sociale po ndërtojnë modele biznesi që shfrytëzojnë vëmendjen e të miturve.

“Dëmet që u shkaktohen fëmijëve dhe të rinjve nga ekspozimi ndaj mediave sociale nuk janë të rastësishme, por rezultat i modeleve të biznesit që e trajtojnë vëmendjen e fëmijëve tanë si një mall”, tha Presidentja.

Ajo shtoi se BE-ja po synon konkretisht platformat më të përhapura e më të përdorura nga të rinjtë.

 “Po ndërmarrim veprime kundër TikTok dhe dizajnit të tij që krijon varësi. E njëjta gjë vlen edhe për Meta-n, sepse besojmë se Instagram dhe Facebook nuk po arrijnë të zbatojnë moshën minimale prej 13 vjeç”, tha Ursula von der Leyen.

Autoritetet evropiane kanë nisur gjithashtu procedura kufizuese ndaj platformës X lidhur me përdorimin e inteligjencës artificiale Grok në krijimin e imazheve seksuale të grave dhe fëmijëve.

SHARE