OBSH: VAKSINA S’MUND TË PRITET PARA FILLIMIT TË VITIT 2021

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) kumtoi se hulumtuesit janë duke bërë përparim të mirë në zhvillimin e vaksinës kundër koronavirusit, porse përdorimi i saj i parë nuk mund të pritet deri në fillim të vitit 2021.

Mike Ryan, drejtor i programit për emergjenca pranë OBSH-së, tha se është jetike që siguria të mos vihet në pikëpyetje, edhe nëse kjo nënkupton ngadalësimin e zhvillimit të vaksinës.

Dhjetëra vaksina kundër koronavirusit janë në faza të ndryshme të testimit në gjithë botën. Këtë javë, Universiteti i Oksfordit ka bërë të ditur se vaksina që ka zhvilluar ai, duket se është e padëmshme dhe se e trajnon sistemin imunitar.

Numri i të infektuarve me koronavirus në gjithë botën kaloi 15 milionë, janë të dhënat e Universitetit Johns Hopkins.

Prej tyre, mbi 618,000 njerëz kanë humbur jetën, ndërsa mbi 8.5 milionë janë shëruar.

Vendi më i goditur në botë është SHBA-ja, me mbi 3.9 milionë të infektuar dhe me mbi 142,000 viktima.

Pas saj vijnë Brazili dhe India me numër të të infektuarve dhe Brazili dhe Mbretëria e Bashkuar me numër të viktimave.

SHARE