FORUMI „KORRUPSIONI NË ARSIM“, BLERJA E DIPLOMAVE DHE NDIKIMET POLITIKE, KËRCËNIM PËR ARSIMIN

Foto: BIRN

Në Forumin Antikorrupsion “Korrupsioni në Arsim”, të organizuar nga BIRN Mali i Zi dhe Aleanca Qytetare, u theksua se korrupsioni në arsim po e shkatërron besimin në sistemin arsimor dhe po çon në zhvlerësimin e diplomave dhe dijes.

Pjesëmarrësit paralajmëruan se blerja e diplomave, ndikimet politike dhe punësimet partiake janë ndër problemet më serioze në arsim.

Zëvendëskryeministri Momo Koprivica deklaroi se korrupsioni në arsim nuk është vetëm çështje ligjore, por edhe çështje e besimit në një shoqëri me mundësi të barabarta. Ai tha se përveç blerjes së diplomave dhe provimeve, problem i madh janë edhe ndikimet politike në proceset akademike.

Drejtori ekzekutiv i BIRN Mali i Zi, Vuk Marash, tha se diplomat e fituara në mënyrë të padrejtë po barazohen me ato të fituara me mund dhe punë, gjë që po shkakton largimin e të rinjve dhe profesionistëve më të mirë nga vendi.

Përfaqësues të organizatave civile dhe institucioneve thanë se korrupsioni është bërë pjesë e përditshmërisë dhe ka ulur besimin e qytetarëve në institucionet shtetërore.

Ata theksuan mungesën e vendimeve gjyqësore për rastet e korrupsionit të lartë.

U paralajmërua gjithashtu për presionet ndaj mësimdhënësve nga nxënësit, prindërit dhe drejtuesit e shkollave, si dhe për favorizimin e nxënësve dhe klasave të caktuara.

Përfaqësuesit e forumit kërkuan masa afatgjata dhe reforma sistemore për të parandaluar që korrupsioni të pranohet si sjellje normale nga gjeneratat e reja.

Po ashtu, u përmend edhe problemi i organizimit të “shkollës në natyrë”, ku disa shkolla pranojnë vetëm një ofertë, pavarësisht dallimeve të mëdha në çmime.

Përfaqësuesit e Universitetit të Malit të Zi dhe opozitës kërkuan profesionalizim më të madh në institucionet arsimore dhe mbrojtje të sistemit nga ndikimet politike.

SHARE