Foto: predsjednik.me
Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, ka kthyer në Kuvend për rishqyrtim ligjin për ndryshimet dhe plotësimet në Ligjin për Gjykatën Kushtetuese, i cili ishte miratuar më 8 maj nga deputetët.
Sipas Millatoviqit, një nga dispozitat kryesore të këtij ligji parashikon që gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, të cilëve u ka përfunduar mandati ose që kanë plotësuar kushtet për pension, mund të vazhdojnë të ushtrojnë funksionin deri në zgjedhjen e gjyqtarëve të rinj.
Ai thekson se kjo zgjidhje është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me Kushtetutën e Malit të Zi, e cila përcakton qartë se mandati i gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese zgjat 12 vjet dhe nuk lejon zgjatje të tij.
Presidenti argumenton se ligji i ri praktikisht e anashkalon Kushtetutën dhe krijon mundësi që gjyqtarët të vazhdojnë punën pa bazë kushtetuese, gjë që sipas tij dëmton rendin juridik dhe pavarësinë e Gjykatës Kushtetuese.
Ai shton se një zgjidhje e tillë krijon edhe paqartësi ligjore, pasi nuk është e qartë se si një person që ka përfunduar mandatin mund të vazhdojë të ushtrojë funksionin.
Në reagimin e tij, Mlilatoviq vë në dukje se ekziston rreziku që ky mekanizëm të përdoret në mënyrë politike për të vonuar emërimin e gjyqtarëve të rinj, duke e bërë funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të varur nga situata politike në Kuvend.
Ai kujton gjithashtu se tashmë ka nisur procedura për vlerësimin e kushtetutshmërisë së dispozitave të mëparshme të ngjashme.
Sipas tij, përvoja e vendeve të Bashkimit Evropian tregon se rregullime të tilla mund të bëhen vetëm në nivel kushtetues dhe jo përmes ligjit të zakonshëm.
Për këtë arsye, ai kërkon që Kuvendi të rishqyrtojë ligjin dhe ta harmonizojë plotësisht me Kushtetutën, duke respektuar afatin 12-vjeçar të mandatit të gjyqtarëve.











